Vetëvendosje fton opozitën për tre kandidatë jopartiakë për president, PDK dhe AAK e quajnë propozimin joserioz
Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar dy partive më të mëdha opozitare, PDK-së dhe LDK-së, t’i paraqesin së bashku tre kandidatë jopartiakë për presidentin, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme. Thirrja vlen deri të dielën në mbrëmje. PDK-ja propozimin e cilëson si joserioz, ndërsa AAK-ja si tallje me qytetarët.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një propozim të ri, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët për President me kushtin që ata të jenë jashtë skenës aktuale politike. Kryeministri Albin Kurti për tha nëse këto dy parti propozojnë tre emra unifikues jashtë politikës, atëherë shumica do të mbështesë këta kandidatë. Afati për emrat skadon nesër në mbrëmje.
“Pra le të na i sjellin deri nesër mbrëmë tre emra të personaliteteve unifikuese jashtë skenës aktuale politike sepse presidenti duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit, ashtu e kërkon kushtetueshmëria jonë……………. Tash ne s’po propozojmë më, tash është radha që opozita të propozojë dhe është për të ardhur keq që kurrë s’ma ka thënë asnjë emër. Po le të mos ma thonë mua, le t’ia thonë njëri-tjetrit, le t’ia thonë qytetarëve, ne ia sigurojmë nënshkrimet edhe të hënën i kemi,” deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se propozimi i fundit i Vetëvendosjes për është joserioz. Ai
“Nuk është ofertë, çfarë ofertë. Nuk është aspak serioze. Ne jemi parti të ndryshme politike. Lidhja Demokratike e Kosovës është subject në vete, Partia Demokratike e Kosovës është subject në vete, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është subject në vete. Aleancën nuk e ka future fare,” tha Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.
Ndërkohë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj propozimin për presidentin e cilësoi si lojë dhe tallje me qytetarët.
“Këtë që po e thotë sot ka mundur ta thotë ditën e parë. Kjo është një lojë dhe tallje me qytetarët dhe këto oferta nuk janë kredibile dhe askush nuk e dit nëse këto që po i thotë i zbaton apo e ka për ta mbuluar fajin e tij për dërgimin e vendit në zgjedhje,” tha Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.
Thirrja e Vetëvendosjes vjen pas dështimit të bisedimeve mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, të cilët nuk i kishin pranuar propozimet e kryeministrit. Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. PDK-së, ai ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu. Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende. Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.








