Viti i ri shkollor nis me më pak nxënës, Janevska apel për më shumë fëmijë
Gazetare: Melihate Rustemi
Pas pushimeve verore, nxënësit sot u rikthyen në shkollat fillore dhe të mesme. Për disa nxënës sot ishte dita e parë e fillimit të një kapitulli të ri shkollor, ndërsa për shumë të tjerë momente të padurueshme për të takuar shokët dhe mësuesit.
“Po e filloj klasën e tretë, pushimet verore I kam kaluar shumë bukur. I kam lexuar të gjitha lektyrat. U takuam me mësuesen, na dhanë të gjitha librat, na njoftuan me rregullat e reja”, u shpreh një nxënës.
“Do të jem në klasë të gjashtë. Pushimet verore ishin shumë të bukura, ishim në Greqi. Nga fundi I muajit korrik bëra pushime edhe në kamp. Aktivitetet e mbrëmjes ishin shumë interesante”, tha një nxënëse tjetër.
“Pushimin veror e kalova shumë mir. Kam lexuar, kam lozur, pak e përdora telefonin, televizorin. Pushuam në Greqi, gjithashtu isha në kamp, u argëtova shumë me fëmijët, shumë jam kënaqur atje, kemi bërë shumë aktivitete”, u shpreh një nxënës tjetër.
Ndërsa nxënësit i’u gëzuan ziles së shkollës, fatkeqësisht numri i tyre çdo vit po zvogëlohet. Sipas dikasterit të Arsimit, rreth 3 mijë nxënës më pak janë regjistruar në klasën e parë këtë vit në nivel shtetëror. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, bëri thirrje për përmirësimin e situatës demografike. Ajo tha se, përveç dijes, nxënësit e klasës së parë duhet të dëshirojnë edhe vëllezër e motra, pasi vetëm në këtë mënyrë shkollat që sot mbyllen përkohësisht mund të rihapen në të ardhmen.
“Ndoshta një mesazh për nxënësit e klasës së parë, përveçse të kërkojnë të fitojnë dije, ndoshta duhet të kërkojnë të kenë edhe një vëlla ose motër, në mënyrë që këto shkolla që përkohësisht po mbyllen, në të ardhmen të mund t’i rihapim. Popullsia duhet të ndërgjegjësohet se sa i rëndësishëm është kapitali njerëzor, para së gjithash për vetë ata dhe jetën e tyre dhe, sigurisht, për shtetin e tyre, atdheun e tyre. Sepse të gjithë e dimë se çfarë do të thotë të jetosh në një vend progresiv dhe të zhvilluar mirë”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ndërkohë, viti i ri shkollor nuk nis njësoj në të gjitha shkollat. Për shkak të mungesës së nxënësve, mbyllen 26 shkolla rajonale, ndërsa 148 objekte shkollore në vend janë bosh, kryesisht në zonat rurale. Në të gjithë vendin këtë vit do të ketë 433 paralele më pak, si pasojë e numrit të vogël të nxënësve dhe bashkimit të paraleleve. Në shkollën fillore “Kiro Gligorov” në Shkup, rreth 500 nxënës nga klasa e katërt deri në të nëntën do ta ndjekin mësimin online për nëntë ditë pune. Arsyeja janë punimet për përshtatjen e hapësirave dhe krijimin e gjashtë klasave të reja, me qëllim që në të ardhmen mësimi të zhvillohet në një ndërrim. Nxënësit deri në klasën e tretë, gjatë kësaj periudhe, do të vijojnë mësimin me prani fizike. Viti shkollor, përkohësisht nuk ka filluar edhe në disa shkolla të caktuara fillore dhe të mesme për shkak të rikonstruimit të objekteve./Alsat.mk.








