Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës

Me 71 vota pro, Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës. “Konstatoj se Kuvendi i republikës së Kosovës zgjodhi për Presidente zonjë Vjosa Osmani-Sadriu”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit.

Vjosa Osmani është betuar si presidente e Republikës së Republikës së Kosovës.

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtojë ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore dhe qytetare, respektimit të mbrojtjes dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies. Me ndërgjegje dhe përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, tha Osmani.


Gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare Vjosa Osmani nga Lista Guxo, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, është zgjedhur shefe e re e shtetit të Kosovës.

Ajo sot në raundin e tretë të votimit për president në Kuvend, ku morën pjesë 82 deputetë, ka marrë 61 votat e nevojshme.

Dje, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e vendit. Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani. Ndërkaq, kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit. Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë. Edhe raundi i dytë sot ka dështuar për shkak se Vjosa Osmani nuk mori 80 votat e nevojshme.

Ndryshe, që prej 5 nëntorit 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje, pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit mori mbi 300 mijë vota, duke u bërë kështu personi më i votuar në Kosovën e pasluftës.

LEXO EDHE:

Back to top button