VMRO DPMNE-ja njofton interpelancë për Filipçen

VMRO-DPMNE-ja, pas dhjetëra kërkesave për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, paralajmëron interpelancë ndaj tij. Filipçe, sipas tyre, është i paaftë të menaxhojë me Shëndetësinë.

Në shëndetësinë tonë ka vdekje dhe nuk ka asnjë përgjegjësi. Një paciente nga Struga vdiq sepse askush nuk i ofroi ndihmë, një pacient nga Shtipi vdiq sepse nuk ka bombola oksigjeni, në Maqedoni vdiset nga operacioni në gju kurse një pacienteje nga Dibra i hiqen organet e brendshme të shëndetshme dhe askush nuk mban përgjegjësi për gjithë këtë. Në vend se ministër i Shëndetësisë, Filipçe është bërë ministër i vdekjes – tha Kirill Pecakov, VMRO-DPMNE.

Më keq se Maqedonia në fushën e vaksinave, thonë ata, janë vetëm Egjipti, Uganda dhe Guinea Ekuatoriale. Filipçen e konsiderojnë si mjeshtër skandalesh, me tenderë të dyshimtë si ai për Qendrën e re klinike.

Për LSDM-në, ky është një hap tjetër jokonstruktiv i opozitës, të cilën e konsiderojnë të obsesionuar pas provizioneve.

Është e turpshme të bëhen politika për përfitime politike përmes krijimit të skandaleve të rreme që lidhen me shëndetin publik të qytetarëve, pa dallim përkatësisë etnike, besimit dhe përkatësisë fetare. Kur në botë bëhet luftë për t’u siguruar vaksina, VMRO-DPMNE përmes për shkak të interesave të ngushta partiake, me vetëdije dhe paramendim i bën dëm shtetit – u shpreh Nenad Kociq, LSDM.

Deri tani ministri Filipçe nuk ka reaguar për interpelancën e paralajmëruar nga opozita.

Fatlume Dervishi

 

LEXO EDHE:

Back to top button