7-vjeçari që nuk mundi t’u shpëtojë flakëve në Gostivar, ka qenë i lidhur me zinxhirë  

Zjarri që shpërtheu në një banesë në Gostivar ka qenë fatal për fëmijën 7 vjeçar, ndërsa nëna e tij ka marrë lëndime dhe asfiksim. Sipas hetimeve të para të Prokurorisë së Gostivarit fëmija 7 vjeçar nuk ka mundur t’i mbijetojë flakëve pasi në momentin e shpërthimit të zjarrit ka qenë I lidhur me zinxhir në këmbë.

Prokuroria

“Informatat e para të ekipit mjekësor që ishte në vendin e ngjarjes, thonë se fëmija që ka humbur jetën, gjatë kohës së shpërthimit të zjarrit, ka qenë i lidhur me zinxhir te këmbët. Prokuroria po merr gjitha masat për konfirmimin e ekzistimit eventual të përgjegjësisë penale. Është urdhëruar obduksion i trupit të pa jetë të fëmijës, dhe po bisedohet me dëshmitarët e ngjarjes. Pas urdhrit të prokurorit publik, po punohet në mbledhjen e fakteve në vendin e ngjarjes, që do ndihmojnë për gjetjen e shkakut të zjarrit”, thuhet në njoftimin në njoftimin e Prokurorisë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën e Vardarit në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa të parët tymin e kanë parë kalimtarët e rastit të cilët kanë njoftuar zjarrfikësit. Sipas të dhënave të Sektorit të Punëve të Brendshme, në banesën që është përfshirë nga flakët, kanë jetuar gjashtë anëtarë, por në momentin e shpërthimit të zjarrit, brenda kanë qenë vetëm fëmija dhe nëna e tij.

 “Nuk ka pasur banesa tjera të përfshira nga zjarri sepse arritëm në kohë dhe e lokalizuam shpejtë sepse kishte rrezik ishte flakë e madhe dhe mund të përfshiheshin edhe banesat tjera nga zjarri- tha Izet Izeti. Udhëheqës i NJTKZ – Gostivar.

Në vendin e ngjarjes ishte ekipi hetimor i Gostivarit dhe nga Shkupi bashkë me prokurorin. Ditëve të ardhshme priten informacionet e sakta mbi shkakun e zjarrit, ndërsa sipas informatave të para, dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga ngrohësja elektrike.

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button