Zihen në rrenë – Hidhet poshtë ankesa kundër Alsat në lidhje me raportimin gjatë zgjedhjes së Qeverisë Teknike

Zihen në rrenë - Hidhet poshtë ankesa kundër Alsat në lidhje me raportimin gjatë zgjedhjes së Qeverisë Teknike

Gazetar: Adrian Kerimi

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele e ka hedhur poshtë si të pabazë parashtresën kundër redaksisë së Televizionit Alsat dhe tri mediave tjera kombëtare mbi raportimin e 28 janarit kur Kuvendi zgjodhi Qeverinë teknike me kryeministër teknik Talat Xhaferin, shkruan Alsat.

Ankesa anonime nga një grup i qytetarëve i referohet mënyrës së raportimit dhe pretendimeve se gjoja Televizioni Alsat nuk ka transmetuar seancën, ekspozenë e kryeministrit dhe zhvillimet pasuese të 28 janarit.

Nga analiza që është bërë, ka rezultuar e kundërta. Rezultati se ankesa e një grupi të caktuar që duan të mbeten anonim është e pabazë, ka buruar nga analiza faktike e edicioneve informative të cilat përveç se janë të qasshme në rrjetet sociale, ua përkujton edhe Televizioni Alsat.

(Kuvendi zgjodhi Qeverinë Teknike me në krye të saj Talat Xhaferin)

Kryeministri teknik, Talat Xhaferi në intervistën e tij të fundit për Kallxo.com në Kosovë tha se mediat kombëtare nuk kanë transmetuar ekspozenë e tij nga dita e kur u votua ai dhe kabineti i tij.

“I keni në arkivat e mediave përkatëse. Merrni raportimin e mediave vendase më 28 janar, askund nuk del fjalimi, ekspozeja e kryeministrit në paraqitje të programit dhe përbërjet qeveritare”, ishte shprehur Talat Xhaferi, Kryeministër Teknik.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani gjatë prezencës në mediat kosovare, konkretisht në RTV Dukagjini akuzoi mediat kombëtare, duke potencuar edhe një media në gjuhën shqipe se kanë prerë dhe nuk kanë paraqitur fotografinë e Talat Xhaferit në ditën kur u votua Qeveria teknike.

“Televizionet nacionale në Maqedoni të Veriut dje kanë bojkotuar fotografinë e zotit Talat Xhaferi, zërin e Talat Xhaferit. Duhet t’i pyesim ata. Gjitha televizionet kombëtare në Maqedoni të Veriut dje kanë bojkotuar figurën e Talat Xhaferit. Kanë treguar pamjet nga Parlamenti, mirëpo duke e prerë fotografinë e Talat Xhaferit dhe deklaratën e tij”, kishte thënë ai.

Televizioni Alsat, së fundi është ballafaquar me numër të madh të parashtresave dhe ankesave të tilla, që të gjitha të karakterit anonim.

Asnjë prej denoncuesve nuk ka gjetur forcat dhe guximit të adresojë një ankesë me emër dhe mbiemër pavarësisht se ligji i mundëson një gjë të tillë dhe subjekti ndaj të cilit parashtrohet ankesa nuk ka të drejtën e masave ligjore. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button