18 persona të vrarë pas sulmit me raketa në qendrën tregtare në Kremenchuk

18 persona të vrarë pas sulmit me raketa në qendrën tregtare në Kremenchuk

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Sulmi nga bombarduesit rusë me rreze të gjatë në qendrën tregtare në Kremenchuk ka vrarë të paktën 18 persona ndërsa 60 të tjerë janë plagosur. Përderisa ekipet e shpëtimit po kërkojnë personat e zhdukur, të mbijetuarit e sulmit rrëfejnë për tmerrin.

“Dritaret u thyen unë rashë dhe rreth 10 ose 15 minuta më vonë pati një shpërthim tjetër. Ishte e tmerrshme”, tha Katerina Romashyna, dëshmitare.

“Ishte një terror i vërtetë, terror i pastër. Nuk kam fjalë për t’i shprehur të gjitha. Është e tmerrshme”, u shpreh Oleksandra Holoskok, dëshmitare.

Ndërsa punonjësit e shpëtimit kërkojnë nëpër rrënoja, prokurorja e përgjithshme Iryna Venediktova, e cila po udhëheq hetimet për krime të mundshme lufte, tha se bombardimi i “infrastrukturës civile” ngriti “një çështje të krimeve kundër njerëzimit”.

“Ajo që ne shohim, është absolutisht e qartë, se është objekt civil dhe ata bombarduan infrastrukturën civile. Përsëri dhe përsëri. Është një çështje e krimeve kundër njerëzimit”, theksoi Irina Venediktova, Prokurore e Përgjithshme e Ukrainës.

“Në pamje të parë, ky duket si një krim lufte, duket sikur është një sulm i qëllimshëm ndaj një objekti civil”, u shpreh Vejn Xhordash, Avokat.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka quajtur Rusinë “organizatën më të madhe terroriste në botë” pas bombardimeve vdekjeprurëse në qendrën tregtare Kremenchuk.

“Është një nga aktet terroriste më të pacipë në historinë evropiane. Vetëm terroristë krejtësisht të pashpirt, të cilët nuk duhet të kenë vend në tokë, mund të godasin me raketa një objekt të tillë. Shteti rus është bërë organizata më e madhe terroriste në botë. Dhe ky është një fakt. Dhe ky duhet të jetë një fakt ligjor. Secili në botë duhet ta di që blerja apo transportimi i naftës ruse, lidhjet me bankën ruse, dhe kryerja e pagesave për shtetin rus, nënkupton dhënie të parave për terroristët”, deklaroi Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Ministria ruse e mbrojtjes, thotë se Rusia e kreu sulmin, por zjarri vdekjeprurës u shkaktua nga shpërthimi i municioneve që ndodheshin brenda. Liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara “G7” e kanë quajtur sulmin si krim lufte dhe janë zotuar se do ta mbajnë presidentin rus Vladimir Putin si përgjegjës. Kryeministri britanik Boris Johnson, ka thënë se sulmi në Kremençuk demonstron “thellësinë e mizorive dhe barbarizmit” të Putinit. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka thënë se bota është “tmerruar” nga sulmi, duke e konsideruar atë si një tjetër mizori./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button