A do të ketë sërish shtrenjtim të rrymës?

A do të ketë sërish shtrenjtim të rrymës?

Gazetar: Ile Petrevski

Deri në fund të qershorit do të ketë korrigjim në çmimin e energjisë elektrike. Ende nuk dihet se sa do të rriten shpenzimet e qytetarëve për faturat e energjisë elektrike, shkruan Alsat.

EVN sot ka dorëzuar në Komisionin Rregullativ të Energjisë shpenzimet, të cilat janë pjesë e formimit të çmimit përfundimtar që paguhet nga konsumatorët.

Kjo do të thotë se llogaritjet do të fillojnë nesër dhe sa më shumë kosto të pranojë rregullatori, aq më i lartë do të jetë çmimi i energjisë elektrike.

“EVN Home dhe Elektrodistributioni dërgojnë të dhëna për shpenzimet në Komisionin Rregullator të Energjisë, ndërsa KRRE më tutje vendos se sa dhe cilën pjesë të shpenzimeve do ta pranojnë”, thanë nga EVN Home.

Përveç kësaj, këtu përfshihet edhe çmimi i energjisë elektrike që EMV ia dorëzon Furnizuesit Universal, pastaj kostot e MEPSO-s, që thonë se janë në përllogaritje përfundimtare para se t’i dorëzojnë ato rregullatorit, dhe ka kosto për burimet e rinovueshme.

“Rregullatori është duke përgatitur një tarifor të ri. Sipas informacioneve, qytetarët që konsumojnë më pak energji elektrike në muaj do të kenë fatura më të ulëta, familjet që konsumojnë më shumë do të kenë tarifa më të larta. Rregullat e reja synojnë përdorimin optimal dhe racional të energjisë elektrike në kohë krize energjetike”, raporton gazetari i Alsat, Ile Petrevski.

Vitin e kaluar çmimi i energjisë elektrike është rritur për afro 10 për qind. Por, tani në bursat botërore një megavat orë shitet të paktën pesë herë më shtrenjtë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button