Atmosferë e zymtë në Shkup, pak ditë para ndërrimit të moteve

Atmosferë e zymtë në Shkup, pak ditë para ndërrimit të moteve

Gazetare: Ajnur Bafqari

15 ditë para natës së ndërrimit të moteve sheshi kryesorë i kryeqytetit duket kështu…

Ndërkohë që kryeqytetet e shteteve të tjera tashmë janë zbukuruar për festa, në Shkup nuk është vendosur as një dritë për zbukurim.

Tek tuk vërehet ndonjë dritë simbolike nëpër vitrinat e dyqaneve, por këtë e kanë bërë individualisht pronarët.

Qytetarët të vetëdijshëm për krizën ekonomike dhe energjetike thonë se megjithatë nevojitet që të ketë zbukurime simbolike që të ketë atmosferë festive të paktën në muajin dhjetorë. Thonë se jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit kanë nevojë që në këtë periudhë të vitit të argëtohen dhe relaksohen nga përditshmëria.

“Mendoj se duhet të ketë zbukurim, pa marrë parasysh se edhe jemi në krizë energjetike, por prapë është fund i vitit dhe çdo vjet ka pas zbukurime në qendër….04:49 Viteve të tjera ishte në javët e para të dhjetorit ishte e rregulluar gjithçka dhe qyteti me plot kuptimin e fjalës ndriçonte, por këtë vit jo.”

“Duhet të dekorohet, ka fëmijë ata gëzohen, jo vetëm fëmijët edhe ne të rriturit gëzohemi. Gjithandej është zbukuruar, kjo këtu nuk e di, është dashur të merret diçka që të shërbejë për më shumë vjet.”

“Atmosfera duhet të jetë festive, sa do që jemi në nevojë duhet të kthehemi drejt pozitives”.

“Duhet të zbukurohet, njëherë në vit atmosfera të ndryshojë. U munduam shumë me pandeminë, të paktën nëse jo diçka tjetër, kur qyteti të jetë i zbukuruar edhe ne do të kemi njëfarë disponimi më të mirë. Edhe fëmijët edhe kushdo qoftë që del, ambienti e bën të veten”.

“Vërtetë nuk ka mjaftueshëm, por megjithatë të shënohet diçka e bukur, tradita të vazhdojë.”

Disa vlerësojnë se në këto kohëra krize, gjëra të tilla janë të panevojshme.

“Mendoj se është punë e mençur, ka shumë punë të tjera më të rëndësishme. Ai që ka vendosur të argëtohet, do të gjejë mënyrë ta bëjë këtë”.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se zbukurimi i qytetit dhe vendosja e bredhit fillon sonte.

“Shkupi tradicionalisht zbukurohet rreth datës 15 në muajin dhjetor, secilin vit. Zbukurimi i qytetit kryesorë dhe vendosja e bredhit fillon sonte”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Televizioni Alsat që në fillim të muajit dhjetor pyeti se sa mjete janë ndarë për zbukurimin e qytetit për festa dhe cilat janë aktivitetet që planifikohen për natën e Vitit të ri, por nga Qyteti I Shkupit na thanë se lidhur me këto çështje do të ketë konferencë për mediat, gjë që nuk ka ndodhur akoma. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button