Dita e pestë, vazhdon greva në Drejtorinë e Librave Amë

Dita e pestë, vazhdon greva në Drejtorinë e Librave Amë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Greva në Drejtorinë e Librave Amë hyri në ditën e pestë. 70 të punësuarit në zyrat e Drejtorisë në Tetovë nuk japin kurrfarë shërbimesh, përveç rasteve urgjente, shkruan Alsat.

Të punësuarit ankohen se shkelet e drejta e tyre për greve pasi kanë presione dhe kërcënime të përditshme nga Udhëheqësit e Drejtorisë.

“Shumica e të punësuarve janë që nuk kanë rritje të rrogës që prej 15 vitesh, dhe që atëherë vazhdojnë të jenë referent i ri. Në jemi në grevë dhe e përkrahim sepse kemi nevojë vërtetë, me 15 000 denarë nuk mund të mbahet familja, dhe do vazhdojmë me grevën deri sa të na plotësohen kërkesat tona. Ka presione, por ne kemi të drejtën tonë dhe s’na ndalojnë me to”, tha Naser Xhemaili, i punësuar në drejtorinë e Librave Amë.

Në përkrahje të punëtorëve grevist, ishte edhe kryetari i Sindikatës së pavarur Toni Milloshovski, i cili, këmbëngul në rritje të rrogës për 30 për qind. Ka kërkuar nga Ministria dhe disa parti politike që të mos bëjnë presione mbi të punësuarit, por të plotësojnë kërkesat e tyre për të cilat bisedohet tash e tre vite. Milloshovski thotë se, rritja e rrogës dhe ngritja në detyrë e punëtoreve të drejtorisë së Librit amë, nuk është problem i vetëm. Kushtet në të cilat punojnë këto punëtorë shpesh janë të mjerueshme, thotë ai.

“Presione të mëdha kemi dhe ende vazhdojnë ato. Ka nga disa parti politike, por edhe nga vetë drejtoria. Më shumë bëjnë presion ndaj atyre të punësuarve me kontratë. Në qytetet tjera ka shumë presion, si për shembull Kumanovë por edhe në Gostivar kanë presion edhe nga brenda edhe nga jashtë”, u shpreh Toni Milloshoski, Kryetar i Sindikatës së pavarur të punëtorëve të Librit amë.

Në nivel të shtetit, rreth 500 persona punojnë në drejtoritë e Librave Amë, dhe të cilët presin rritje të rrogave.

Një pjesë e madhe e tyre, sipas kreut të Sindikatës, tash e një dekadë, punojnë me rrogë minimale prej vetëm 14.700 denarësh, ndërsa ngritje në detyrë nuk ka pasur asnjëherë.

Në drejtoritë e librave amë, që prej pesë ditësh nuk jepen certifikatat, përveç në raste urgjente të sëmundjeve apo vdekjeve brenda dhe jashtë shtetit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button