Kurti: Hapja e Urës mbi lumin Ibër është liri e lëvizjes
Kurti: Hapja e Urës mbi lumin Ibër është liri e lëvizjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe. Duke folur në një mbledhje të Qeverisë, Kurti njoftoi se Kosovën do ta vizitojnë dy ministra të Jashtëm të dy vendeve anëtare të NATO-s javën e ardhshme, ndërsa të enjten edhe ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus. Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë. Vizitat e zyrtarëve të NATO-së dhe të tjerëve në Kosovë po zhvillohen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, e kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës në këtë kohë. KFOR-i, njëlloj sikur BE-ja, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit. /Alsat.mk