Seancë gjyqësore për sulmin në Banjskë, kërkohet burgim i përjetshëm
Seancë gjyqësore për sulmin në Banjskë, kërkohet burgim i përjetshëm

Në seancën e parë për rastin e sulmit terrorist në Banjskë që po mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës – avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë nga sulmi, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit. Në fillim të seancës, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale. Pas deklarimit për fajësinë nga të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi, në fjalën e tij hyrëse, tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i planifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”. Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronë në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone. Në fillim të seancës së sotshme, trupi gjykues vendosi ta largojë nga salla një nga hetuesit e rastit, Jeton Jetullahun, pasi u tha se ai mund të thirret më vonë si dëshmitar i rastit, raporton Betimi për Drejtësi. Aktakuza kundër 45 personave ishte ngritur në shtator të vitit 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati. /Alsat.mk