Qeveria ka marrë edhe gjashtë licenca nga kompanitë të cilat merren me kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Me vendim të Qeverisë në vazhdën e kontrolleve nga komisioni përkatës pranë Ministrisë së Shëndetësisë, janë marrë edhe gjashtë licenca nga kompanitë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Te kompanitë janë konstatuar lëshime ligjore. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk zbulojnë se për cilat kompani bëhet fjalë.
“Bëhet fjalë për konceptin çfarë duhet të kenë në teren si infrastrukturë dhe çka s’kanë pasur. Janë të përcaktuara të gjitha mangësitë që i kanë pasur si në aspekt të kapaciteteve njerëzore, në aspektin e infrastrukturës, sigurisë, sasisë sa kanë pasur në letër dhe sa në teren. Të gjitha këto kanë sjellë në përfundim se duhet t’u merret licenca dhe mos vazhdojnë më tej me punë”, Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Me këtë, numri i kompanive që mbetën pa licencë u rrit në 12. Më parë më 24 shkurt, Qeveria ua morri licencat edhe kompanive “Alfafarm”, “GreenLife”, “CBD Medplant”, “LifePlant”, “Atafarm” dhe “Kanabidois”. Të gjitha këto kishin parregullsi administrative, infrastrukturore dhe kadrovike. Ministri i Shëndetësisë nuk zbulon më shumë detaje për kompanitë të cilat u konstatua se nuk kanë struktura udhëheqëse ndërsa kontrollet po bëhen ndaj gjithsej 43 subjekteve. Dyshimet për keqpërdorime me kanabisin për qëllime mjekësore nisën pasi në Serbi u sekuestruan 5 tonë marihuanë, që dyshohet se prejardhjen e kishin nga Maqedonia e Veriut. Pas këtij rasti, autoritetet në vend sekuestruan 40 tonë marihuanë nga kompani të licencuara për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ndërsa më pas u ndërmorën inspektime të jashtëzakonshme.
Qeveria ka marrë edhe gjashtë licenca nga kompanitë të cilat merren me kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk zbulojnë se për cilat subjekte bëhet fjalë ndërsa kontrollet vazhdojnë për gjithsej 43 kompani. Pas përfundimit të kontrolleve, Aliu paralajmëron përgjegjësi.








