Vitia: Ka buxhet të mjaftueshëm, nuk është problem sigurimi i vaksinave

Të pavërteta, të dëmshme dhe dashakeqe i ka quajtur ministri i Shëndetësisë në Kosovë raportimet në lidhje me mos nënshkrimin e kontratës me kompaninë Pfizer dhe BionTech. Madje, Arben Vitia ka ftuar Prokurorin e Shtetit që të veprojë nga kujtdo që dëmton një proces kaq delikat. Sipas tij, në këtë fazë nuk mund të flitet për progresin në këtë aspekt, meqë janë deklarata nën hetim.

Gjatë ditës së sotme është raportuar se ministri Arben Vitia nuk ka nënshkruar kontratën me kompaninë Pfizer dhe BionTech, për çka furnizimi me vaksina do të shtyhet deri në shtator.

Ai në një konferencë për media se sigurimi i vaksinave për qytetarët nuk është lojë, dhe kështu rrezikohet shëndeti i qytetareve. Shtoi se sonte në vend të një konference për të lajmëruar ecurinë e masave të marra, apo për masa të reja duhet të flas për një temë e cila “u provokua nga një lajm i pavërtetë”.

“Po të mos ishte i dëmshëm për procesin e sigurimit të vaksinave, nga i cili varet edhe shëndeti i qytetarëve ndoshta do të reagonim edhe të hënën apo nuk do të reagonim fare. Lajmi i publikuar në ‘Gazetën Insajderi’ është i pavërtetë, dëmshëm, dhe dashakeq. Është i pavërtetë sepse ata që janë siguruar me kinse informacione zyrtare janë krejtësisht të pasaktë. Ne nuk mund të flasim për progresin që kemi bërë me sigurimin e vaksinave, sepse kjo çështje është strikt, konfidenciale. Edhe ata që kanë rrjedhur çfarë do çerek lajmi sipas tyre, e kuptojnë se këto të dhëna janë konfidenciale”, ka deklaruar Vitia.

Për më tepër, sipas tij ata që rrjedhin të tilla informacione dëmtojnë procese të ndjeshme.

“Procesi i sigurimit dhe furnizimit me vaksina nuk është lojë. Vaksinat janë çështje e rëndësisë dhe sigurisë kombëtare, sepse kemi të bëjmë me shëndetin publik të qytetarëve tanë. E të rrezikosh sigurimin e vaksinave, ke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, e për këtë shteti duhet të kërkojë llogaridhënie. Ne ftojmë Prokurorin e Shtetit që të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve. Dhe të veprojë nga kujtdo që dëmton një proces kaq delikat, por kaq jetik gjithashtu”, shtoi ai.

Vitia siguroi se komisioni për negocim për sigurim të vaksinave është në komunikim të vazhdueshëm me kompanitë e prodhimit të vaksinave.

E, kryesuesi i Komisionit për Sigurimin e Vaksinave, Naim Bardiqi shtoi se është shqetësuese ndërhyrja në punën e komisionit dhe se gjëra të tilla janë të sanksionuar edhe me Kodin Penal të Kosovës.

“Jemi në deklarata nën betim dhe për këtë arsyeje nuk mund të japim detaje lidhur me progresin e arritur rreth negocimit të vaksinave që jemi duke e bërë me prodhuesit e drejtpërdrejt të vendeve të ndryshme. Mund të ju them se jemi optimist dhe angazhimi ynë nuk mungon… Gjëra të tilla janë të sanksionuara edhe me Kodin Penal të Kosovës në rast se nuk respektohen vendimet e organit kompetent”, ka shtuar ai.

Më tej, Bardiqi derisa është pyetur edhe për sasinë e vaksinave që janë përmendur në dokumentet për të cilat është raportuar sot gjatë ditës, siguroi se askush nuk ka qasje në ato me të cilat po negocion grupi punues.

Udhëheqësi i shëndetësisë në Kosovë nuk ka dhënë detaje se kur do të arrijnë vaksinat e Pfizer në Kosovë, veçse tha se qëndron prapa deklaratave që ka dhënë për ato të AstraZeneca.

“Informacioni që kam dhënë përmes konferencave të tilla, kam thënë se një pjesë e një pjese tjetër do të vie në fillim të prillit, apo në fillim të majit. Dhe qëndroj prapa këtyre fjalëve dhe ashtu edhe do të jetë”, shtoi ai.

Mbrëmjen e së premtes, para gazetarëve ai nuk ka dhënë detaje as sa i përket kompanive me të cilat po negociohet. Por, që siguroi se ka buxhet të mjaftueshëm.

“Ka buxhet të mjaftueshëm dhe buxheti nuk ka qenë në asnjë moment problemi sa i përket sigurimit të vaksinave”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund, ministri Vitia ka folur edhe për masat anti-COVID, ku theksoi se mos-respektimi i tyre është rrezik për shëndetin e qytetarëve.

LEXO EDHE:

Back to top button